Shkruar nga Petraq RISTO |
Në vëllmin e ri “Ag muzgu”, që autori Sadik Krasniqi paraqet për botim, frymëmarrja e poezive është e njëtrajtshme, sepse janë poezi të të njëjtit gjoks,të së njëjtës zemër. Meditimi për kohën, zhgënjimin, luftën, orkidet, heroin, gurin, puthjen, vetminë, mërzinë, lumin, kitarën, ëndrrën, hijen, trimin, zogun, gjarpërin, dashurinë... është një meditim metaforik, pa britma, po sforcime.
Poeti Sadik Krasniqi përqëndrohet te motivi ashtu si lupa kur mbledh rrezet. Poezite e ndara në pesë cikle: Asgjë, Zoti i mërzisë, Përndritje, Vetmia e bekuar dhe Orkide e çelur shpalosin thellësitë e përjetimeve të drejtpërdrejta apo të tërthorta. Me një gjuhë të thjeshtë e transparencë firgurative, poezitë e Sadik Krasniqit vijnë te ne si të njohurit e vjetër: pa ndroje.
Përgjithësisht autori operon drejtpërdrejtë, pa nënkuptime dhe ky sinqeritet e bën më të prekshme dhe të ndjerë motivin. Poezi të tilla si “Asgjë”, “Ikja”, “Të gjallët e të vdekurit”, “Lutja II”, “Qielli i ngujuar”, “Në Had”, “Mos e mbyll portën”, “Çarli” , “Ish-in”, gjashtë haikut, poezia “Te Lumi” kushtuar Ali Podrimjes, dhe shumë të tjera, flasin për një poet të pjekur, që di mirë ku e godet gurin që fsheh brenda fytyrën që adhuron.
Kosova është në ADN-në e librit, ku natyrshëm ndihet dhe krenaria dhe zhgënjimi i poetit, veçanërisht te cikli “Vetmia e bekuar”.
Në ciklin përmbyllës “Orkide e çelur” ndjenja optimiste është më e gjerë, qielli dhe sytë e kaltër, gishtërinjtë e shiut, mengjesi, shprehja më e hapur e ndjenjave, të fusin në një botë tjetër më intime.
“Ag muzgu” e titullon autori vëllimin e tij të ri dhe të duket sikur ky titull është ngritur vetë në sipërfaqe, në ballinën e këtij libri që për mendimin tim, na shfaq një autor me zë origjinal, imponues me thjeshtësinë dhe natyrshmërinë e tij.
Nju Jork, 20 gusht 2014
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen