Dienstag, 24. November 2020

"Parajsë e nëmur", liber me vlera të larta poetike.

Shkruar nga Arif MOLLIQI
Observim për poezinë e Sadik Krasniqit

Poezinë e librit më të ri, ”Parajsë e nëmur”, të poetit, Sadik Krasniqit, e shënjon gjerësia dhe thellësia shtresimesh ligjërimore, që tashmë shquhen për nivelin e arrirë të këtij ligjërimi. Mbase, këtë ligjërim, Krasniqi e ka sforcuar nga vëllimi në vëllim për kaq vite të shkrimit të poezisë, dhe tek ky vëllim e sforcon edhe më tej, jo vetëm përka thellësia e botës së ndjenjave, por edhe përka gjerësia e shprehjes kuptimore, pastaj edhe përka veçantia e shprehjes dhe strukturës së vargëzimit, çka tregon se veprimtaria e tij shkon e ngritët në ato maje që dëshmojnë pjekurisë dhe vetëdijesimin poetik të autorit pas  „Ofshamë në urnë", „Oazë palmash të djegura“, „Ag Muzgu“.

Sadik Krasniqi është vërtet poet metaforik, dhe këtë e sendërton përmes ligjërimit me ngjyrat origjinale të shprehjes, shumë herë të një psikologjie që ka në vete vlera të përgjithshme të shprehjeve estetike. Poezia e këtij libri, me titullin mjaft metaforik : ”Parajsë e  nëmur”, sikur vjen për ta pasuruar poezinë tonë të post-modernes. Kjo poezi, edhe pse e krijuar në një hapësirë kur poeti gjendet jashtë atdheut, bëhet pjesë e poezisë sonë më të re, dhe na sjellë në rrafshin poetik mjaft veçanti, mbase e ardhur si frymëzim, e arrirë si ndërtim dhe e pasur si ligjërim. Që në fillim, poezia e Krasniqit piketon fate dhe tragjedi, na afron mundësi të shumta njohje të botës para së gjithash asaj individuale, botë e cila është kaq e kushtëzuar dhe e varur nga e tanishmja dhe e kaluara. Në qenësi ky individualitet është gjurmim në psiken dhe shpirtin e njeriut, është shqiptim metaforik i shtjelluar me mjeshtëri: “Një ujk/dy ujq/tre.../ tridhjetë ujq ngjyrë gri/një lukoni ujqish të brymtë/dalin nga mjegulla e lëndinës së verbër/ulërijnë ulërijnë mistershëm/nën hënën e mekur”.
Ky është ai shqetësimi i brendshme i autorit, ose, është formë e përjetimeve, e anktheve, e dhembjes dhe të gjakimeve brenda një kohe më mjegulla, e mistershëm dhe e mekur... Dhe nga kjo mjegullinë, në mbushullimin e jetës, në hapësirën ku njerëzit nuk e njohin, në hapësirën ku s’është vullnet i tij të jetojë, kërkohet identiteti i humbur, kërkohet kthimi në qenësinë e jetës e jo qëndrim të mëtutjeshëm në margjina të saj. Pra, këtu shpirti i poetit është i thyer, ngase i mungon identiteti, ajo qenësorja në jetën e njeriut. E trazojnë kujtimet për babain( treni), vdekja e nënës (“Sa pak frymë/i ka mbetë Nanës/sa me ia çu peshë/këmishën me ngjyrë hëne”), mbase përmes kësaj poezie edhe e thellon kërkimin dhe vetëdijesimin e subjektit krijues për ta kërkuar, ndoshta qoftë edhe për ta krijuar si ideal, kthimin te substanca e idealizuar e jetës, atje ku e ka lënë që nga largimi i tij. Të shprehurit metaforik, shumë i ngjeshur, në të shumtën e poezive e veçon poetin  Krasniqi, e sidomos vetmia njerëzore, kjo sëmundje e njerëzimit edhe në këtë shekull, e përcjell në hapësirën e tij jetësore, si mendime të zeza, retë e zeza, e zeza, futë e zezë....
Poeti Krasniqi, edhe kur shënjon në kujtesë tonë motive të thella njerëzore të frymëzuara nga përditshmëria e jonë, që janë sa personale sa kombëtare, por ai e thërret edhe dashurinë, “më thuaj/ isha ashtu siç më ke menduar/  edhe më magjike se fantazia ime për ty”, sepse më parë duhet ta duam një gjë, pastaj ta kemi atë,ose më parë duhet ta dimë në kujtesë se është e jona një gjë, qoftë edhe në të parë si të paarritshme, më pastaj ta duam, dhe duke e ditur se po e duam, mund edhe ta arrijmë ta kemi qoftë edhe si dëshmi, apo pamundësi dëshmie. “Madhëri/ s´kam dorë/ të vë mbi  librin e shenjtë/... e të dëshmoj vetëm të vërtetën/ se këta  më kanë gjymtuar/...e vetë me vete po flas/ i mjeri unë”.
Ky është ai nënteksti i kuptimësisë së shumë poezive nga ky libër.
Që nga poezia e parë e deri tek e fundit Sadik Krasniqi, godet fenomene dhe dukuri, të cilat dita-ditës shkatërrojnë botën. Pena e mprehtë e tij godet njeriun si fajtorin që solli gjithë të këqijat edhe kur: “Pleshtat po ia dridhin/Piramidën”, të poezia Faraoni. Prandaj afiniteti poetik lidhet me aftësinë për të manipuluar fjalën poetike përmes së cilës nxjerr një vlerësim ekspresiv i cili atë e bënë edhe si poet të rebeluar dhe shpeshherë të pa përmirësuar duke e thënë mendimin përmes imagjinatës e cila ka një funksion artistik të qëlluar atëherë kur: “Janë disa shtigje/përtej fushës plot gjarpërinj/e ti  këmbëzbathur”
Poeti Krasniqi, me gjuhë poetike të përpunuar, me figura stilistike të bukura, me retorikën e vargut lakonin, thellon ne variante të ndryshme të këndimit, makthin e fjalës poetike, për metaforën e së keqes, për metaforën fjalës që mund të jetë edhe metaforë e lutjes. Këto variante të metaforës, enden në poezinë e tij, kanë status letrar të ndryshëm, por gjithmonë në funksion të së bukurës artistike. Këtu  fjala brenda poezisë ka kuptim, ajo është moderne, aq sa duhet të ruaj klasiken e domosdoshme; ajo është e çiltër, spontane aq sa ka nevojë të krijoj abstraksionin poetik për të ikur shablloneve poetike. Shprehja poetike e poetit është e përpunuar, vargu i gdhendur, ndërsa sistemi figurativ tejet i dendur.
Në këto poezi autori rreh të shkruajë në mënyrë sa më koncize, duke kursyer edhe fjalët,  me një prirje të përgjithshme të poezisë moderne, duke i lënë hapësirë lexuesit të mendojë e imagjinojë në mënyrë aktive.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen