Dienstag, 10. November 2020

Sadik Krasniqi - Ag muzgu

Poezi nga libri "Ag muzgu"

VETMI FLUTURE

Në valë
gjethi i Noes
me vetminë time prej fluture

u marr erë katër stinëve të dritës

deri te stina e pestë
e natës së zezë
në oqeanin e vdekur

bie perdja e frymës

bebëzat m´i merr hëna
diell as qiell më
në sytë e mi




ZJARRMI

Sonte

Zjarrmi ferri mbi mua bie
nofulla e natës së zezë
me mijëra dhëmbë të verdhë
në qiellzën time sa qielli

e në duar mbaj lule akulli

gjuha si cunami i çartur
thirr të vdekurit e mi

gruaja ha gishtërinjtë nga tmerri
për sytë e mi me bebëzat e  bardha

ata sy po bëhen diej të fikur
që s´do të shohin më kurrë pranverën




HËNA E ZEZË

Ëndrra e vdekjes
a vdekje e ëndrrës
në këtë natë me hënë të zezë

oh e dashur
vërma pëllëmbën
në ballin tim flakë

m´i fryj flladshëm
hirit të syve
ta shoh sërish
hënën e portokalltë




KTHIMI

Do të kthehem
në Itakën time
një ditë

i përmallshëm
e më dinak se Uliksi
do t´i hedh Ciklopit hi në sy

në pellgun e nimfave
do të bie shi i ylbertë
ato të heshtura do t´i krehin flokët

mbi detin e përgjumur me erë te mbarë
do të kthehem një ditë
në Itakën time të shenjtë

E për gjakun tim
të lënë në Trojë
do të më mbysë mërzia




KAFKA IME

Nga shtëpia e vdekjes
marr me vete
kafkën time

pa sytë dikur  si lumi
pa flokët që janë bërë erë
pa rrudhat e ballit të bërë mendime
pa buzët plot lutje

s´mund ta varros
pa lotët e nënës
e pa hijen e qiparisit

si librin e moçëm me hieroglife
të  nxjerrë  nga  dora e vdekur
e lexuesit  të mbramë
e vë në raftin e pluhurosur

që pas mijëra vite drite
ta mbajë  engjëlli në pëllëmbë
duke i hequr pluhur yjesh
lules së ëndrrës




TË GJALLËT E TË VDEKURIT*

Të gjallët
hanë bukën  e tokës

tokën e bukës
hanë të vdekurit

kafshatë kafshatë
të gjallët

të vdekurit
pash me pash

me nga një gur në kokë
kanë ardhur  deri te lumi

*Kjo poezi lindi me rastin e varrimi të një të afërmi në varrezat e Prishtinës, të cilat i pashë pas 20 vjetësh. U tmerrova nga përmasa e hapësirës që kishin marrë ato, e që tashmë krejt bashkangjitur Prishtinës, ky kompleks ishte bërë vetë një qytet i të vdekurve!...



PAVDEKËSIA E VDEKJES

Me këtë verë
nga vreshta e diellit
gëzuar e dashur

me këtë verë
të kuqe si gjaku i Jezuit
e dashur gëzuar pavdekësinë

e kujtohu
asnjë njeri e asnjë
çift i gjallë i Arkës së Noes
të këtij çasti
me shpirtin e frymës së qiellit
vetëm për një shekull e pak
nuk do jenë më

do ndodhë vdekja e madhe

gëzuar e dashur  
pavdekësia e vdekjes

mos u pikëllo
s´do ta kemi mërzinë
veç jem ndër radhët
e pavdekësisë së vdekjes së madhe

mos u pikëllo
se prapë dikush në këtë mbrëmje të bruztë
verë të kuqe a verë të bardhe do pijë

mund të ndodhë që ajo
t´i ketë mu këta sy tu të bukur
që e mahnitur t’ shikojë me pikëllim këta yje




T´ZOTIN E MËRZISË

Përvajshëm më përqafojnë
m´i prekin gishtërinjtë e urtë
më shikojnë në dritë të syve

luten që të jam i fortë
mua t´zotin e mërzisë

e unë ligështohem ligështohem
me sy përdhe si shtatore
bëhem mendim guri




LARG JANË ATA

E dashur
edhe sikur lotët tanë
të bëhen lumë liqen a det
barkën ata kurrë nuk do ta gjejnë
e t´i afrohen bregut tonë të pikëllimit

larg janë ata larg
përtej diellit përtej dritës

e dashur
t´i falemi Zotit
që s´jetojmë me mijëra vjet
në këtë zi në këtë mërzi




SFOND  I BARDHË

Ai sfond i bardhë
pikë e verbër
në sytë e mi
me atë engjëll
të lidhur me fije ajri e uji

vetëm pëllëmba e tij e lirë
që ta përshëndesë
nënën përtej xhamit
që buzëqesh duke qarë




ÇARLI

Indiani me emrin e rrejshëm Çarli
i zi dhe i mistershëm si nata
mistik si fisi i tij i lashtë
i  shpejtë rrufe e dinak si prita
në duart e tij prej hume
ma merr dorën time të bardhë
në pëllëmbën time që dridhet
lexon  hartën e fatit tim
profecinë e zymtë
“gjatë gjatë s´do të kthehesh nga ke ardhur”

pas shumë e shumë vitesh
në verën e thatë
putha (at)dhe nga kisha  ardhur
babai ishte bërë bar
me erë temjani të djegur

indianin me emrin e rrejshëm Çarli
kurrë më nuk e pashë
e pëllëmbën e dridhur s´mund ta heqë
nga duart e tij prej hume




BLLACA

Balta e vdekur
na ha për së gjalli
në këtë ferr

në këtë tokë të nëmur
jam çelur
lule robi

i pikëlluari im
merrmë si flutur në dorë
gëzoje pranverën




GJERGJI

nëpër gurët e prushtë
ngjitem në  fronin e Hyjit

si mbi re shoh Fushë-Krujën e tistë
kalorësit e muzgut sikur afrohen
e Kruja si engjëll i trembur
i hynë nën sqetull hyjit

ai ngre krah e me shpatën e diellit
e prenë përgjysmë natën e gjysmëhënës

e ndiej frymën e tij
si prekje e bekuar
e pëshpërit uratën
të lumtë ne për ty
Gjergj

Krujë, verë 2009




ORKIDE E ÇELUR

Ajo
është vetë mrekullia
e mahnitshme orkide e çelur
kush e shikon e s´e njeh
buzët kafshon nga habia
e ai që e njeh stepet nga bukuria

është krenari me kurorë
e Adamit të parë

ia shoh intimen në  sy
për një puthje më ndryshe
për një përkëdhelje të përflaktë

buzët e gojës së bukur
i thonë një po
e gjinjtë e fryer i përndizen

veç në një top-sekret
sikur Zoti t´i mbyllë sytë
e gojën qielli
për një mëkat të ëmbël
qoftë vetëm një herë në jetë



ME ZONJËN V.

Me zonjën V.
Në verandën e palmave
pinim verë
verë të shijshme
me aromë jete

e flisnim  për  dashurinë  e vdekur

nën qiellin e urtë
pinim me(r)lot
e shikonim yjet që binin
në një fushë a det të vdekur
për të dhënë a marrë shpirtra të shenjtë

sa rekuiem në ata sy blu

të zonjës V.


Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen