Dienstag, 24. November 2020

Poezi e harmonisë kontrastike

Shkruar nga Ragip SYLAJ
Një lexues ideal i poezisë ka nevojë të dijë dhe të tregojë ç’është poezia. Nëse poeti nëpërmjet vargjeve do të tregojë a të dëshmojë se di të vuajë njerëzisht e stoikisht e madje të flasë e të këndojë bukur poetikisht, lexuesi ideal duhet të dijë të tregojë pse një poezi e tillë i pëlqen dhe si të tillë ua preferon ta lexojnë edhe të tjerët.

Poezia Sadik Krasniqit, si e librit të tij të parë, “Ofshamë në urnë”, si kjo e librit më të ri, “Oazë palmash të djegura”, ka plot jetë e fantazi, ka shpirt a ndjeshmëri të përkorë dhe ëndrra, por gjithsesi edhe realizëm e trill. Ndërmjet realizmit e trillit apo aty ku pleksen të dyja është poezia. Këtë gjendje poeti e eseisti turk, Ilhan Berk, e përkufizon kështu: “Poezinë s’e gjen dot te të rënit e tullës prej dorës së muratorit, por te mbetja e saj pezull në ajër” (nga libri “Logos”). Mjeshtërinë dhe bukurinë e këngëtimit të poetit Sadik Krasniqi do ta karakterizoja me vlerësimin e Samjuel Kolrixhit se, poezia qëndron në fjalët më të mira në radhitjen më të mirë. Fundja, sipas strukturalistit Roman Jakobson, poezia është krijesë, sa e vetëdijshme, aq edhe e pavetëdijshme e gjuhës. Një parim krijues që i qëndron çdo poezie të mirë në përgjithësi por edhe poezisë së këtij libri në veçanti.

“Poetikja është e pranishme, kur fjala ndihet si fjalë, dhe jo vetëm si paraqitje e objektit të quajtur prej saj ose si hedhje emocionesh, kur fjala me kompozimet e saj, me semantikën e saj, me formën e brendshme dhe të jashtme përfton gjithçka dhe vlerën në vetvete – në vend që në mënyrë indiferente t’i qëndrojë realitetit.” Kështu e përkufizon poezinë Jakobsoni.
Përmbledhja e poezisë, “Oazë palmash të djegura”, është strukturuar në këto njësi ciklesh poetike: Lutja e zemëruar, Përtej perdes prej loti, Kujtimi i shastisur, Alkimia e nënës, Sfond i akullt, Engjëlli i nëmur. Lënda e librit mbyllet me vargjet, që janë vënë si prolog dhe njëherësh edhe si epilog i librit, përkatësisht me epitafin: “në mes nesh/ perde dheu/ dhe pikëllim/ me rritje bari”. Ky mall, kjo mënyrë e interkomunikimit e subjektit lirik me engjëllin e tij mbrojtës është pothuaj në krejt librin. Ky mall, që brenda e ka edhe vuajtjen, dashurinë e njëherësh edhe dhembjen, sjell ngjyrimet melankolike që vargun e Sadik Krasniqit e bëjnë sa jetësor a të gjallë po aq edhe të dashur e tërheqës për lexuesin. Të tilla ato i bën fakti se janë të çiltra por edhe mënyra e strukturimit të tyre. Brenda vargjeve të këtij poeti hasim drama të tëra të kondensuara, drama këto kurbetçinjsh dhe heronjsh të tjerë, të cilët jetojnë njëkohësisht në dy vende e në dy kohë, për më tepër ata jetojnë me të gjallët dhe me kujtimin e të vdekurve. Këto kujtime janë sa dashuri e respekt po aq domosdoshmëri për të frymuar e për t’u lidhur me rrënjët e tyre dhe për ta kërkuar kuptimin e ekzistencës kudo që të jenë: në vendlindje apo në mërgim (lexo: kurbet). Kjo ndodh, sepse ata, siç thotë autori: "Shkojnë/ dallëndyshe me pranverë në sy”, por “nga oaza/ me palma të djegura/ kthehen/ qyqe prej mërzisë” (poezia “Kurbetçarët”). Kjo poezi përmbyllet me vargjet: “e vdesin nga pikëllimi/ se as nëna s´është më”.

Nga vargjet e poezisë së lartpërmendur por edhe nga krijimet e tjera poetike të Sadik Krasniqit hetohet arti i figurës letrare poetike, i frymës dhe i gjuhës specifike autoriale. Harmonizimi i suksesshëm dhe funksional i këtyre përbërësve letrarë brenda akëcilit krijim të këtij libri mundëson të përftohen imazhe tërheqëse dhe interesante. Por, ajo që i bën më dinamike këto imazhe është shqetësimi krijues dhe materializimi i tij:

“pemët ulin degët nga mërzia
bëhen hije të trishtuara

mbi fushën e vdekur
fijet e barit si shigjeta me helm

ç´mu kujtua nata e gjatë pesë shekuj mbi Kosovë
me këtë hënë të zezë si hiri i ferrit...”
(Poezia “Eklips”).

Ose:
“Bari i egër/ i paska ngrënë varret/ vetëm kokat e gurëve pa emër/ si krerët e notarëve në ngërç/shihet mbi detin e blertë” (Poezia “Varret e vjetra”).

Imazhet e përmendura në poezinë e këtij libri nga autori stisen në krijimet që gërshetojnë një tufë motivesh ekzistenciale që përfshijnë një vertikale historike (të ngjarjeve të historisë nacionale) dhe një horizontale gjeografike (e vendndodhjes së ngjarjeve të këtilla, si burim frymëzimi). Këso mënyre, poezia del e larmishme tematikisht por unike dhe mjaft specifike stilistikisht. Aty është lindja, përkatësisht jeta e vdekja, qëndresa dhe detaje të tjera jetësore e artistike që autori i nxjerrë herë në stilin e një vizatimi kroki, herë të një tabloje pikture e herë ekspresioniste e herë të një kënge moderne, që rrjedh në heshtje si lumi i thellë.

Poezia e Sadik Krasniqit është e ndërtuar, përveç me figura të tjera stilistike, si simboli e metafora, edhe mbi antiteza të shumta, ndër të cilat përmendim: sakrament i sakrilegjuar, Mari a marri, shtëpia e heshtjes, dënesje bari, bukuri e djegur, logjikë absurde, absurditet logjik, ikje pa ndjekje, ndjekja pa ikje, engjëll i nëmur etj. Fundja, sipas Jakobsonit, harmonia është rezultat i kontrastit, veçmas, do të shtonim, kur ajo bëhet pa teprime, gjë që provohet edhe në këtë libër.

Duke i përjetuar shqetësimet lirike të poetit Sadik Krasniqi lexuesit i mundësohet të bëhet pjesë e tyre, pjesë e humanizimit të përvojës jetësore dhe krijuese dhe e kuptimit të vlerave që na jep arti i poezisë së librit, “Oazë palmash të djegura”.

Në stilin e poetit do ta përmbyllnim këtë vlerësim me fjalët, se bashkë me autorin dhe lexuesin do të mbesim të gëzuar në shqetësimin njerëzor dhe poetik apo të shqetësuar në gëzimin e tashëm dhe të pritshëm që na e mundëson arti i poezisë së këtij libri.

Prishtinë, korrik 2011

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen