Poet i përjetimeve të thella, i prekur definitivisht nga ekzistenca e shtruar ndërmjet qenjes dhe mbijetesës përmes vullnetit të kohës historike, Sadik Krasniqi bazohet në krijimtarinë e tij përmes forcës së mesazhit me shpërthim bindjesh të befasishme dhe me një mision të mirëseardhur në shprehje dhe metaforë: "Edhe pas vdekjes sate/ Përsëri do të jetë fusha e blertë/ Lulet do të lulëzojnë të përgjakura/ Ndërsa unë do ti prek me zemër". Kështusoj do të shprehet autori në vëllimin e tij "Loti i jetës" (Bukuresht, 2010), ndërsa ne që nga starti vijmë në përfundim se poeti na propozon një dëshmi historike, personale dhe kolektive, duke vizuar vuajtjen e shqiptarit të çrënjosurit nga plangu i vendit të tij, duke e plasuar në varg përhershmërinë dhe përjetësinë e mallit që ia trazon shpirtin dhe syrin për një lot sa Kosova e madhe, atje ku, në vatra të shkëputura mbi zjarret që refuzojnë të vdesin, koha do të lindë më në fund një dritë të re:
"Në atë qiell, fluturimi juaj i përhirtë, më shndërron në gur të gjallë/ rrugëve të qytetit/ më mbulon nostalgjia/ porsi muri i mbuluar me myshqe/ bluaj mallin e përkujtimit/ për kallirin e pjekur në vendlindje" (Fluturim kojrilash). Pyetjet e poetit janë ultimative, ngase tejmatanë shpirtit të tij, asgjë nuk mund mund të jetë më e trazuar se sa "Tre miniaturat për Kosovën" dhe deti ku freskohen fëmijët "në përrallën për ujkun dhe qengjin". Më duket se autori nuk rend pas stilit, aq sa rend pas mesazhit dhe peshës së tij për të qenë i kuptuar nga lexuesi, ndërsa metafora nuk është tjetër veçse një "veshje e bukur" me të cilën poeti, i vetëdijshëm, orvatet, siç thekson një kritik letrar, të zbusë ashpërsinë e një realiteti: "Në këtë pritje të lagur/ nëse s´ma heq brengën/ bile ofshamën ma ndiej/ Për shenjë dhembjeje në fytyrën tende/ vuajtjen do ta vari në cep të yllit/ gjersa bebëzat të pikojnë mall" (Pritja e lagur). Nganjëherë ia arrin, herë tjetër jo! Pse? Ngase "Ende më shastiset kujtimi/ për ferrin që binte në këtë qytet/ e hapeshin portat e vdekjes/ cerberët mernin përkrahu/ engjëjt me sytë e urtë qielli/ e lotët e nënave të shkreta/ ua ndritnin rrugët për në Parajsë" (Kujtim i shastisur). Po, poemat e Krasniqit kanë ajrin dhe amprentat e një ditari të vuajtjes dhe përdëllimit të përfshirë në një ditar me vlera dokumentare, që mund të konsiderohen edhe si vlera letrare. Pa kurrfarë diskutimi, Sadik Krasniqi është një poet i kohës së tij, i cili din t’ia japë thellësisë dhe forcës së dëshmisë, veshjen stelare të vlerës lirike, aq sa t’ia dëgjojë jehonën në ndërgjegjen e bashkatdhetarëve të vet, duke e ftuar dashurinë "në këtë tavernë", ku mysafirët tanë do të adaptohen pa pamjen tonë, në tryezën që e preferojmë "me ngyjrë të portokalltë/ një ditë/ kur fjala nuk do rrijë mes nesh". Pa ty, thot, poeti, këtë e ndjej, e dashur, që nga vera e shkuar. Vetmia në ndërkohë "e lëpin nga filxhani fundin e zi të ditës". (Pamje pa ne).
/ Përktheu Baki Ymeeri /
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen