Vështrim për librin "Oazë palmash të djegura" të poetit Sadik Krasniqi
“Mërzi - nënë muzash!” (Gëte)
Sadik Krasniqi i takon brezit krijues i cili letërsinë e ka dashur si art, si gjakim të përhershëm për të bukurën dhe të madhërishmen, por edhe si liri, si çlirim. Ai i takon brezit të cilit rrethanat e kohës ia vodhën buzëqeshjen, apo siç do të këndohej në eposin e kreshnikëve: Fort po shëndritë ai diell, e pak po nxe!
Në vokacionin e tij krijues, Sadik Krasniqi e ka formuar stilin e tij të veçantë krijues nëpërmjet të cilit e ka shprehur individualitetin e vet, e që në poezinë e tij shfaqet si dhimbje, meditimi, mall, evokim kujtimesh, pikëllimë, dashuri e plagosur, plagë gurbeti, palmë e djegur, zemër e zhuritur, vaj në buzë, shpirt shtegtar i një engjëlli të trazuar nëpër kohët ziliqare, poet me zemër lirike, por kurrë i gjunjëzuar.
Që në prologun e librit autori ka vënë katër vargje të cilat në fund të vëllimit me poezi, titullohen si Epitaf: në mes nesh/perde dheu/dhe pikëllim/me rritje bari. Këto vargje pa dyshim që zgjojnë remienishenca të pashmangshme me poezinë e poetit Agim Spahiu (Poeti i Dy Drinave), i cili Kosovën e quante: Pikëllimë.
Shqetësimet lirike shpesh të projektuara si gjendje melnakolike apo edhe si Lutje e Zemëruar (cikli i parë i vëllimit poetik), në penën e Sadik Krasniqit shfaqen si ca imazhe ylberore e si një kith i kaltër malli. Në yllësinë e fjalës së bukur shqipe, të cilën Krasniqi e laton bukur dhe e gdhend holl, në vargun e formuar poetik të cilin e karakterizon mendimi i thellë dhe ndjenja emocionale, bashkëbisedimi projektohet herë si imazh e herë si një prelud i një jete të vështirë sa hija me lot bari vallëzojnë mbi poezinë lirike: mërzia jote/do më bëj/lot bari (Ikjes sime).
Krejt ndryshe/vetëm të vdekurit e njëjtë. Ky është kontrasti me të cilin hapet poezia domethënëse Krejt Ndryshe, ku ndarja paraqet dhembje sepse një shpirt poeti si ai Sadik Krasniqit nuk mund të rrijë indiferent ndaj të mallëngjyerve që duke lëshuar Pikëllimën.
Njëmotiv dhe një pamje që gjithsesi të kujton këngën poullore Moj Fusha e Korabit, si dhe romanin e Teodor Laços Lëndina e Lotëve, të cilat poeti i vargut të ndjeshëm dhe profesori i letërsisë shqipe Sadik Krasniqi, i njeh shumë mirë.
Në një sfond të tillë mërgimtarësh dhe në një fat kaq të hidhur shqiptarësh, shfaqet edhe figura e babait të poetit: “me ta edhe im atë/me lotin e gjallë në fytyrë/ecën për në parajsë.” Duke e shkruar kështu një poezi të pasur me simbole dhe figura, me metafora e përshkrime poetike, me tablo nga jeta dhe nga mërgimi, Sadim Krasniqi e ka përmbledhur dramën e dhimbjes kolektive nëpërmjet asaj individuale: “lëkura e gjarprit mbetet në mua/ fluturimi i beftë i korbit/ m’i hedh vetmisë/ hije të zezë…duke pritur një rigë shi.” (Mbetem gur)
Një vargëzim i tillë, që e shprehë sa fatin kolektiv po aq edhe dhembjen individuale, nuk ka se si të mos më kujtoj shprehjen e njohur të Tomas Manit në romanin e tij Dr. Fausti: “Në dhembjen time do të zbukurohej edhe gjarpri.” E tillë është tragjika e një kombi të lashtë, fati i të cilit ka bredhur nëpër kancelaritë e diplomacisë europiane dhe botërore, si Ifigjenia e Eskilit në tragjedinë greke.
Në përballje me tragjiken dhe padrejtësinë, me padrejtësinë dhe me vuajtjen, qëndresa dhe betimi janë një: Mbetem Gur. Mbase edhe kjo, gjithsesi e dhimbshme, por pjesë e një realiteti të përditshëm dhe po aq të hidhur, i cili është shpalosur aq bukur tek poezia Udhëtimi i Fundit, në të cilën përmes gjuhës deskriptive është shpalosur tabloja e gjallë e fatit të një mërgimtari, kurse struktura e vargut dhe formësimi i shprehjes hyn në funksion të gradacionit poetik nëpërmjet të cilit poeti artikulon dhembjen:
nuk deshi t’i prekej vdekja
me gishtërinjtë e ftohtë
t’i vështrohej vëngër syri i përmalltë
e t’i hidhej çarçafi me përbuzje mbi fytyrë
si një qeni të huaj
dhe u lut
Zot më jep shpirt
sa t’më shoh nëna edhe një herë të gjallë
e t’m’i mbyllë sytë me pëllëmbë engjëlli
Ndarja dhe dhembja që shkakton ajo, në poezinë e Sadik Krasniqit është gati e pranishme kudo, sado që në dhembshurinë e tij prej njeriu dhe poeti, ai e futë shiun që ta zbusë qoftë edhe fare pak. Është figura e babait e cila shfaqet dhe përshfaqet edhe në përfytyrimet e shumta poetike, si në poezinë Lutja e Zemëruar, por për të cilin ndarja me të birin i cili shkon në mërgim, ia kishte ndryshuar jetën skajshmërisht:
prekja e mbramë e dorës sime
ia zbardhte mjekrën
pak para se t’i mbyllte sytë
e kishte bërë lutjen e fundit
që të binte shumë shi
e t’i zgjatej rruga e hapave përgjysmë
deri tek dera e ndryshkur
mos të jetë (pa mua) engjëll i vetëm
në atë lendinë të blertë
Sadik Krasniqi është poeti që figurën e babait e ka frymëzim të përhershëm dhe frymëzim të përjetshm. Në këto përmasa ai ka ecur gjurmëve të traditës, ku fjala vjen figura e babait shfaqet në mënyrë dominante në krijimtarinë letrare të Ramiz Kelmendit, apo edhe në krijimtarinë poetike të Sali Bashotës.
Vaj në buzë, është poezia e cila përshkohet nga “unaza mërzie”, e ku poeti rri në ankth mes atdheut të cilin e gjakon, dhe mërgimit në të cilin jeton. I ndarë në dysh, ai nuk mund të jetë kurrë asnjanës me zemrën e tij të çarë nga dhembja dhe nga padrejtësia, gjë që shfaqet në shprehjen poetike e cila në poezinë e titulluar Kurbetçarët, kapërthen një dramë të tërë kolektive brenda pak vargjeve:
Shkojnë
dallëndyshe me pranverën në sy
nga oaza
me palma të djegura
kthehen
qyqe prej mërzisë
e vdesin nga pikëllimi
se as nëna s’është më
Kontrasti i thellë i dy gjendjeve ndryshe, i projektuar përmes shprehjes së goditur poetike e të vargut të latuar holl dhe me durim e përkushtim, vërehet edhe tek poezia Ngjyrim ditësh:
Qyqe qyqe
si s’pate frymë të m’i kukatësh
krejt pranverat e djegura
në qepallat e mia të verdha
veçse borxh s’më mbete
me vete m’i dhe ngjyrat e natës
që ditët larg rremit tënd t’i ngjyrosi
me t’zezën e flatrave tua
e të bëhem korb i bardhë
Në poezinë Guri i Martinit, kushtuar poetit Martin Camaj, Kosova mbetet sërish lëndinë e heshtur, e poeti Camaj “mall lumi/me bukuri narcisi/prag i shkelur Dukagjini”, e që si në një koincidencë të çuditshme përsëritet sërish sepse edhe Martin Camaj e edhe Sadik Krasniqi, ndonëse në përmasa dhe kohë të ndrsyhme, do të braktisin dheun e të parëve e do të bëjnë jetën prej mërgimtarëve, që të dy në Gjermani: O tempora, o mores!
Në ciklin e dytë Perde Loti, i cili hapet me poezinë Eklips, poeti e përfshinë historinë shumëshekullore në një tabllo të bukur përshkrimi në të cilën dridhet silueta e hënës së zezë (Hëna mace e zezë/si me gojë gjarpri gëlltit detin), ndërsa metafora e shpalosur me dorë mjeshtri që fjalën e ka gdhendur si ngjarjet mbi gurin koha, Kosovën të cilën e do gjithmonë afër por të cilën mjerisht e ka larg, e vë në një sfond pëlhurash me vetëtimat e mëndafshta e ku dheu i të parëve, i gjyshërve dhe stërgjyshërve tanë shfaqet si një Oazë Palmash të Djegura. Ky është pagëzimi që poeti ua ka bërë plisave të dheut të cilët koha kërkon t’i vë gjithmonë kësulë të bardhë mbi vetull.
Poezia Vjeshtë e Vonë është dëshmi e një structure origjinale e shprehjeve të gdhendura me shije të hollë artistike:
Ca kumbulla të shterrura në rrem
si sy të verbër
apo
thonj të mbetur
si zogj të mjerë hëne
e
muzgu murg i urtë
pamje që në vete ngërthen pikëllim, mërzi, ankth, mall, melankoli, dënesje. Por nga një gjendje e tillë, kur e do puna poeti dënon plangprishësit (në poezinë domethënëse dhe po aq aktuale Gjak i Ligë) ku përmes shprehjeve gjak i çmendur që shfaqet në kapërcyellet e historisë sonë si ujë i qelbur, është paraqitur murtaja me emrin tadhëti, nga ata që Ndre Mjeda i ka quajtur: zgaçër.
Poeti Sadik Krasniqi kuvendon përmallshëm me kohën e tij, por edhe në mënyrë meditative herë me jetën e herë me poezinë, e ndonëse kafsha e zezë është gjithmonë përreth si sfidë, ai është: “dre me sy engjëlli/në fushë me prush” (Unë).
Në poezinë tjetër Maria Magdalena është bërë një apologji për pafajësi Mari a marri/Krishti vetë do ta dëshmojë/një ditë. Drita si ngadhënjim, si shpresë, si përjetësi është shfaqur aq bukur në poezinë Fluturimi i Nemur ku drita është “thikën e ngulur/ në fluturimin e beftë/ përtej mallkimit”, e në poezinë Korale të Përjermëta but.sia shfaqet përmes barit dhe shiut: “Ecim mbi bar me këmbë të marra/mbi flokun tonë të llamarinjtë bie shi i imtë”, e më tej në një tabllo kaq goditëse me ngjyra të theksuara poetike me të cilat Sadik Krasiniq sikur mëton të vërteton se poezia është pikturë në vargje: “mikloojnë zogjtë me gishtërinjtë e vdekur/vallëzojnë pa muzikë vallen e krahëve të këputur”, dhe së fundi nëpërmjet gradacionit të shprehjes si përshkallëzim i ndjenjës, është pikëllimi ai që bën të “hyjmë në ujin e vdekur/bëhemi krejt korale të përjermëta.”
Duke u vënë në gjurmët e një balade, ku pikëllimi rri përherë si shelgu i bleruar, rilindja e jetës përballë vdekjes shprehet përmes vajit të një fëmije si “shenjë shpëtimi” (poezia Pas Apokalipsit). Edhe në këtë poezi vërehet qartë procedimi poetik i cili në strukturën kompozicionale të poezisë së Sadik Krasniqit, fillon me prologun si dhembje a si pikëllim, por epilogu është rëndom një shpresë e re, një ditë e re, një zemërthirrje e re - lum kush vjen n’valle me ne:
qielli blu
bie mbi bishtin e syrit
e mbi fërkemen e kalit
gëlon bimë kalliri
Në poezinë Profeci, Sadik Krasniqi nëpërmjet kontrastit (“e të çmendurin me fuqi djalli/katër të urtë përpiqeshin ta lidhnin” ndërsa “e në qerre do të mundohet një i uruar/ katër të çmendur t’i prangojë”) e ka artikuluar edhe më tej lajtmotivin e shprehur që nga Gjon Buzuku (Harresa është mallkim, kujtesa është bekim! Unë e mallkoj ate që ty të ka harruar, unë e bekoj ate që ty të ka kujtuar!): më e zeza do të vijë/kur të harruar engjëjt të jenë.
Darka Mbretërore është poezi e përgjithësimit të situatave nëpërmjet motivit të njohur në arte, e nëpër të cilat darka rëndom u është dashur turmave të kalojnë e të parakalojnë:
si vezullim vetëtime doli thika nga goja
e njomur me shtatë helme korbe
e mprehur me zjarr ferri
na preu kafshatën në fyt
si para sfinksit
me sy të ngrirë e hanim solemnitetin e kësaj darke
pa bërë zë
muzika veç ishte ndalur
Pamja e Engjëllit është poezia tjetër e cila ka shpalosur pamje parajse me vello poezie sipër:
Vetëm ti e unë
e shohim engjëllin tonë
përtej perdes prej loti
mbi pikëllim
bie rruga e dritës
kah vjen engjëlli ynë i blertë
E sërish ndarja si klithje, si ofshamë, si një kith i kaltërt malli:
mallëngjehemi në përmallje
nga ajo urtësi
e ndahemi plot mërzi
ai bëhet prapë dritë për në parajsë
ne vijmë në vete
dhe qajmë
Cikli i tretë Kujtim i Shastisur hapet me poezinë Varret e Vjetra ku koha kalon përmbi varre “mbi detin e blertë”, e ku siç shprehet poeti “as delet e bardha të plakut Tem/s’e kullosin këtë bar të lig/ të mekura prej frikës/ nga gjarpri i verdhë i varreve/ si engjëj mrizojnë nën pemën e urtë.”
Malli për mollët e shijshme të vendlindjes është shprehur edhe si një ankth “me heshtjen e sarkofagut” (Mollët e Vdendlindjes), ndërkaq si poet i cili frymon bashkë me popullin e vet dhe me atdheun e vet, Sadik Krasniqi në poezinë Shpirteshtarët ka dëshmuar se nuk mund të jetë indiferent ndaj fatit të të zhdukurve dhe të pagjeturve: “si engjuj/ kthehen me nga një lule gjaku.” Që nga poezi e tutje, poeti e ka shpalosur më thekshëm fatin kolektiv, tragjedinë e kombit të tij, mbi të cilin vdekja ka ra “më shpesh se shiu”, prandaj poezia Kodra e Kafkave është edhe një homazh për shqiptarët e torturuar barbarisht si të dënuar politikë në Goli Otok (“ishull i veshur/ me këmishën e vdekjes) nga perandoria pansllaviste e mereshalit gjakpirës.
Tivari dhe tragjedia e mijëra të pushkatuarve në plojën titiste e komuniste, do të jetë motive i poezisë Pulëbardhat e Tivarit, edhe kjo si një remenishencë me pulëbardhën e Anakreontit e me pulëbardhat e rimave të bardha të Jeronim De Radës. Në këtë poezi Sadik Krasniqi e ka gdhendur dhembjen në kujtesë ndërsa ka përmbledhur në trininë e tij poetike: palmat e djegura, degët e ullirit të tharë dhe plisin e bardhë: “mbi degët e ullirit të tharë/ dhe duken si plisat e shqiptarëve të vrarë.”
Pamjet e trishta të luftës ku bashkë me lubinë e çmendur korrte edhe vdekja, nuk i janë fshirë nga kujtesa as dhjetë vjet pas lufte. Ato rishfaqen: “për ferrin që binte në këtë qytet”, por edhe si fletë të shpalosura kujtimesh të trishta kur “cerberët merrnin përkrahu/ engjëjt me sytë e urtë qielli” (Kujtim i Shastisur).
Koha ka mbjellur heshtje, si në poezinë Shtëpia e Heshtjes, sepse në gjendjen e rënduar të pikëllimit, poeti e ka shprehur dhembjen e përhershme: “s’mund ta kaloj as pragun e mjerë/ plot me bar të nëmur”, ndërsa në poezinë tjetër Dënesje Bari si në ferrin dantesk është shpalosur gjama e gjaktë e ku me pak vargje thuhet shumë duke e dhënë kështu parafytyrimin e pamjeve të mëdha të një gjame të madhe që p[llakosur kishte mbi token tone dhe mbi kokën tone gjatë luftës së fundit në Kosovë.
Në poezinë Hëna, fytyra e dashur e nënës shëndritë si pamja e argjendtë e hënës, duke paraqitur njëkohësisht dy gjendje emocionale:
prekja në xham
më sjell në vete
e nis mërzia
Që këtu fillon paraqitja më e shpeshtë e figureës së nënës, prandaj cikli i radhës Alkimia e Nënës në alkiminë e fjalës së poetit Sadik Krasniqi shpaloset me përmasa të veçanta lirike.
Për më tej, bota e baladave dhe e miteve, por edhe e lgjendave përmblidhet nëpërmes krahasimit dhe përshkrimit të realizuar aq bukur: “Kalin Dori me ngjyrë hëne/dhe të urtë si bari”, si tek Kënga e Sprasme e Balës të poetit arbëresh Gavril Dara i Riu në skalitjen e figurave si Nik Peta e Pal Golemi, këtu riartikulohet në poezinë ndër më të bukurat Baladë për Kalin:
e kalëroj anës lumit
deri te ura e gjakut
një lulak me klithmë fëmije
vegëz e lidh në harkun e pikëlluar
e një ditë i tëri u bë sy i përhënur
mjegulla e përpiu si gruan e ikur
vetëm troku i trembur
mbet si flakë mbi gurë
sa herë bie shi
ai hingëllon nëpër vetëtimë
frerin e lën mbi bari
e lyp ndër yje
Poezia tjetër Pas Shumë Shirave është poezi me ritmin e pikave të shiut, e projektuar në linjën emocionale: poeti-nëna-engjëjt, e që shfaqet sa një përjetësim nëpërmjet gdhendjes lapidare të shprehjes, po aq edhe si përgjërim në ritmin e zemrës që përsipër ka rima të bardha poezie: nëna-votra-puthja-sofra-engjëjt-nëna-engjëjt:
shtëpinë e kishte kafshuar bloza e zezë
nënën e kishin marrë engjëjt
kishte mbetur vetëm kujtimi
dhe hija e zogut të pikëlluar
Vajzë me bukuri lumi, ara me kallinj jete si dielli, pyll me shtatë kroje, fusha me shelgje të njoma, si drerët mes xixëllonjave…këto janë shprehjet e latuara poetike të cilat përbëjnë anatominë krejtësisht të veçantë të strukturës së poezisë Si në Përrallë. Në këtë poezi që lartëson bamirësinë e “Zemërmirëve - që u bën prindër të dy fëmijëve të luftës në Kosovë”, shpaloset një botë kaq e begatë poetike për dy qenie të njoma të cilat lufta me egërsitë dhe padrejtësitë e saj më të shëmtuara nuk i la që ata ta gëzonin dhe ta preknin, gjë që është paraqitur në një mënyrë tepër përmbledhëse: “e do të vraponin si engjëj/ për të rënë mbi krahët e perëndive.”
Kujtimet e një rinie të vrullshme e tipizimi i gjallë i fshatarëve (“njeri një shalqi ndër sqetull si kokë bajlozi të vrarë/ e tjetri një sofër të re mbi shpatull si gur Sizifi”) është dhënë përmes kontrastit në poezinë Mrëmjet e Ëmbla, poezi që më kujton poemën e Dritëro Agollit Baballarët.
Në poezinë Alkimia e Nënës, është shprehur etja me bulëza loti e me pika shiu, është shpalosur blerimi i udhëve me pamje malli e dhembje dashurie. Shprehja poetike e Sadik Krasniqit edhe këtu shfaqet si një shprehje e latuar me kujdes dhe përkushtim, me ngjyrime emocionale e me përzgjedhje fjalësh nëpërmjet të cilave poeti e ka bluar mallin ashtu siç bluajnë gurët e mullirit miellin. Një lidhje e përjetshme dhe gjithsesi e prekshme me nënën si frymëzim, si amshim, si parajsë, për ku - siç shprehet aq bukur poeti: “shpirti mori udhën e bukës”, e ku:
edhe malli më çon te guri me shenja gishtërinjsh
shoh kalli gruri mbi varrin palmë të nënës
në atë fushë të blertë
që me fije bari qep liqenin me qiell
Nuk ka dyshim se në vargje të këtilla me vlerë antologjike, poeti është ai që engjëjt dhe palmat ua falë vetëm më të dashurve të zemrës me ndieshmëri të theksuar poetike, e ku atdheu dhe prindërit zënë vend parësor.
Nëna shfaqet dhe rishfaqet sërish në poezinë e mallit dhe kujtimit, të përmallimit dhe të melankolisë së thellë: “Nënë/…/a s’ka pasur diell/ kjo ditë…/ ah sa shpejt/ nata / mbi ëndrrën time/ po bie…” (Muzgu). Dielli, drita dhe parajsa bashkëjetojnë në poezinë e Sadik Krasniqit, gjë që vërehete dhe tek poezia Psalm kushtuar Nënë Terezës: “lutja bëhet dritë/ e amshueshme bëhet parajsa.”
Bukuri e Djegur është poezia që i kushtohet N-së (“Vizitë pas 15 vjetëve qytetit dhe varrit të N-së”) dhe e cila hapet me një pamje shiu - shiu gjithmonë si shprehje e dhembjes, e butësisë dhe e mëshirës:
Qielli i krehur nga shiu
bie mbi mua
si mbi shelgun e pikëlluar
që me piptha merr mall në lumë
Gjendja emocionale paraqitet nëpërmjet shprehjes së latuar si një “dhembje e verdhë bari”, si rrugët e çara nga malli në kalldrëmet e kujtimeve, prandaj edhe bukuria e vashave me flokët e lagura poetit i duket e dylltë dhe e pakuptimtë përballë mallit dhe kujtimit të pashuar për më të dashurën e jetës dhe të zemrës: N-së
Me poezinë Fytyra Nënës përmbyllet cikli i tretë i vëllimit poetik, prandaj nuk është rastësi pse poeti shprehet:
Në mokrën e gjakut
bluaj gurin e beftë
u fryj gishtërinjve të përmjellur
në qiell fytyrën e nënës shoh
Kudo fytyra e dashur e nënës, prandaj edhe “në dritare me xham të thyer, poeti shkruan: “gjej një kore të harruar buke si dora e nënës”, duke kujtuar më tej: “e në krah më prek përmallshm rremb i ftoit që ajo mbëltoi”, pa dyshim si një bekim i bardhë e si një frymëzim i rrallë për poetin e palmave të përndezura.
Si një parabolë e ciklit pararendës është shafqur cikli Sfond i Akullt e që fillon me vjershën Bukë Dheu të cilën Sadik Krasniqi e merr me vete, veçmas koren e saj, të blertën e ftoit, mollët e kuqe të vendlindjes e të cilat në mërgim i shfaqen dhe i rishfaqen si në një vegim, tok me fytyrën e nënës, të cilës i drejtohet me zemër-klithjen:
Nanë
më gatuaj bukë dheu
me ujë shiu
e kripë loti
piqe me diell Kosove
ta marr me vete
në udhën e zezë
Sadik Krasniqi duke e marrë kështu me vete Bukën Nore si Bukë Kosove, më kujton me mallëngjim poetin e madh romantik hungarez Shandor Pëtefin i cili i kishte mësuar hungarezët që me vete të merrnin një shishe me dhe të Hungarisë.
Poezia Sfond i Akullt, është thurur në bazën e kontrasteve dhe antitezave, ku mërgim është sfondi i akullt me “turmë të dylltë”, prandaj edhe frymëzimi është më ndryshe ndërkaq që poenta është shumë e qartë: në qoftë se në Greqinë antike poetët i dënonin me përjashtim nga atdheu, pra me ostrakizëm, në modernitetin tonë poetët si në Shteti-n e Platonit, jo vetëm që përjashtohen por siç do të thoshte Oktavio Paz, edhe dënohen në katakombet e mërgimit që ka përsosur moderniteti.
Bota e perëndimit shpaloset më tutje edhe në poezinë Fluturim në Shi, ku nëpërmjet ekspresioneve të fuqishme dhe meditimit të thellë thuret aq bukur një poezi mbi bazën e refleksionit poetik, e shfaqur sa një shpresë që dënesë, po aq edhe si një projktimi një dashurie lasgushiane në vallen e yjeve.
Sadik Krasniqi, në shëmbëllim të Lasgushit e bartë dashurinë me qerren e diellit: “të puthemi në qiell/ si dy engjëj.” E se poetët, siç thoshte Lasgush Poradeci janë qenie qielli, e dëshmon edhe vargëzimi në poezinë Hileja:
unë me qiellin në sy
mes xixëllonjave
me gjethin e blertë
bëja melodi
Një botë e tillë e një ndieshmërie të theksuar poetike, natyrisht që është kundër luftës, gjë që poeti e ka shprehur në poezinë Lufta, me vetëm tre vargje:
Logjikë absurde
absurditet logjik
i (ç) mendjes njerëzore
Vërehet pra kështu tendenca e theksuar që me pak fjalë të thuhet shumë, pa e ngarkuar vargun, pa e tepruar shprehjen, pa e rënduar strukturën poetike, prandaj të thurura kështu, të shprehura kështu, poezitë e Sadik Krasniqit rrijnë në degët e poezisë shqipe si ato mollët e kuqe dhe të shijshme të vendlindjes së tij të dashur.
E sakaq, me rimtin e saj të beftë jeta edhe ngjet me një shkretëtirë “për të kapur për flokësh mërzinë” (Në Këtë Shkretëtirë), që shprehet si një refleksion i asaj që e pat thenë Stefan Mallarme se jeta është e pakuptimtë dhe librat i kam lexuar të gjitha, mendim ky i nënvizuar nga Faik Konica.
Dhembja është shfaqur edhe në poezinë Profeci e Zymtë, kushtuar Çamërisë e cila mbetet një këngë gjaku e palmave të përflakura në këngët polifonike, dhembje e cila në poezinë e Krasniqit merr dimenzionin e një tragjedie që nuk u shikua kurrë me tagër drejtësie:
në pikë të verës
gërvishem nga thonjtë e akullt
të ujqve të stepave
në atë mjegullnajë që mbulon deri në Çamëri
Lojë e Përgjakur është poezia e meditimit refleksiv: “vjen i treti/ loja kellet/ zemërimit i hidhet hi në sy”, por zemërimi shprehet me të drejtë edhe tek poezia Veteranët e Luftës, sepse paradokset kanë mbërthyer shumëçka: “nuk ëndërrohet më/ në këtë qytet.”
Ish luftëtarët e lirisë dje, sot: “ata vetëm ëndrrat e natës kallëzojnë/ pështyjnë gazetat e ditës/ në faqen e parë/ duke sharë/ mallkojnë sojsëzit e atdheut.”
Nga një pikëvështrim i njëjtë është mëtuar të bëhet edhe zbërthimi i nëmjes në kontekstin e paradokseve historike, aq të shumta në kohën tonë (Lutje e Nemur). Në një realitet të tillë, “lutja e përshpirtshme” e “çel portën e ëndrrës” (Ankth), e “perdja e zezë/ qepet me perin e çmendur” (Gjuhëthika).
Engjëlli i Nemur është cikli i fundit i vëllimit poetik, cikël që hapet me poezinë Vasha me Flaut, e ku palma bëhet blu meqë vasha i bie flautës. Në refleksione të tilla lirike e meditative, shfaqen “vajza me flokë ngjyrëdielli”, ashtu siç shfaqet edhe zemërklithja: “nëse më hedh jashtë zemre/ mbetem vetëm gur.” E në poezinë Pritja, duke e paraqitur pamjen: “Në shtegun e mallit/ vasha e pikëlluar/ me sytë e zi”, poeti e ka përmbyllur pamjen me mendimin se më mire është që vajza të qanë deri tek verbëria se t’i kthehet dikush që e ka katandisur ashtu e për “t’ia shëmtuar mërzinë.”
Ritakimi është poezia që në sfond e nxjerrë prapë më të dashurën e zemrës: “si kujtim për hijen e palmës.” Diç e vdekur është poezia që mediton për bunkered në Shëngjin, edhe kjo e projektuar në treshen: “Buzëqeshjes/ buzëputhjes/ Buzëdetit”, si një kontrast i thellë por edhe si pjesë e një realiteti të vrazhdtë. Poezi të kontemplacionit janë edhe krijimet Kurrë si Sonte, Ekspress, e Varrmihësi, poezi në të cilat moderniteti dhe shpejt.sia e tij marramandëse le gjurmë të pashlyeshme, e megjithatë është sërish shpresa ajo që ngadhënjen në mes të rrëmujës dhe rrëmetit (siç do të shprehej Naim Frashëri) : “syri i barit/ ende do ta shoh ylberin.”
Poezia Engjëll i Nemur ngërthen në zbërthim të motivit të saj kantraste të një dashurie paralele sa dhe poetike e me shprehjen eksotike si pjesë e veçantë e kësaj poezie ku nuk mungon as pritja e as ankthi:
kështu vetëm ty
të kam dashur e dashur
unë engjëlli yt i nëmur
Kontrastet e jetës dhe të dhembjes kanë zënë vend edhe në poezinë kushtuar bashkëshortes në Ditën e Shën Valentinit, titulluar E Dashur, e ku dëshmohet se jeta me vija dhe vragë e ka bërë të veten:
E dashur
nuk të kam gëzuar çdo ditë
në qiellin tonë ka vrarë edhe reja
në kopshtin binte brymë
Në poezinë tjetër të titulluar Shpirtin Tim, shpaloset përmes një gradacioni ritmik poetik gjendja e rënduar shpirtërore, por si gjithmonë poeti priret që fundi të jetë me shpresë, sepse “prapë ka me dalë pranvera.”
Poezia e fundit e cila është vënë në kopertinën e librit, poezi e titulluar Pamja e Engjëllit, e përmbyllë njëkohësisht edhe pamjen e një bote në të cilin vokacioni lirik i shprehjes artistike përbën një bashkëbisedim me flatra sibilash, ku kontrasti dhe antiteza shquhen në procedimin poetik e që hasen edhe në titujt e poezive dhe të cikleve poetike, të cilat në tërësinë e tyre mëtojnë të përçojnë lirikën e një bote skjashmërisht të ndieshme:
Vetëm ti e unë
e shohim engjëllin tonë
përtej perdes prej loti
…
sa e flladshme puthja e prushtë
e njomë prekja e flaktë
përtej pragut të jetës
…
Ai bëhet prapë dritë në parajsë
ne vijmë në vete
dhe qajmë.
Dritë! Sa më shumë Dritë! Kështu klithte edhe Gëte-ja, sa herë që i rrethuar nga mërzia, klithte: “Mërzi - Nënë Muzash!”
Me vëllimin e tij poetik Oazë Palmash të Djegura, Sadik Krasniqi e ka dëshmuar se është dashuruar në letërsinë, sepse që nga vitet e studimit, letërsia është dashuria e tij e madhe.
Poezia është Sibila e tij më e dashur. Ajo është: Manushaqja e Shpirtit të Tij! …