Montag, 21. Juni 2021

Sythat metaforik si ajkë poetike

Sadik Krasniqi
Arif Bozaci - Bozaxhi, 
„Kambanat e diellit“, botoi: „ Lena Graphic“, Prishtinë 2019

Shkruan: Sadik KRASNIQI

Libri më i ri me poezi "Kambanat e diellit“ i poetit Arif Bozaci-Bozaxhiut, konsiston në vazhdën e vlerave të larta të poetikës së veçantë të këtij autori. Poetika e këtij libri është tërësi metaforike.

Konstruktin vargor të Bozaxhiut e cilëson elipsa. Këto elipsa janë sytha metaforik. 
Themi se janë sytha metaforik, nga se çelen për së brendshmi, rrinë të tillë pa u bërë fletë as degë, por mbeten gjithmonë sytha që mos t'i vyshkë asnjë stinë. Andaj këta sytha metaforik me një hijeshi perj brilandi sikur kanë vetëm një stinë, atë të pranverës.

Poezitë e Arifit janë miniatura poetike. Këto miniatura poetike me aq dendësi figurative, goxha u përngjajnë haikut japonez, megjithëse dendësia emocionale që rrjedh nga ky figuracion, nuk bie me lëshuarjen e frymës si ofshamë në vargun e fundit, si te haiku, por kjo dendësi emocionale mbahet në tërë poezinë. Poezitë e këtij poeti janë të çuditshme, si vazot e mistershme që rrezatojnë bukurinë e të pikturuarit për së brendshmi. Tekstin poetik ky autor, e shkruan me dashurinë, përqëndrimin, durimin, e delikatesën e një piktorit që gjakon vizatimin e një dege ulliri në kokërr orizi. 

Arif Bozaxhiu nuk ka shkruar shumë libra, e në fletët a tyre pak librave nuk ka poezi të gjata. Intenca e këti poeti është esenca estetike. Esencën estetike ky poet e realizon përmes dendësisë së figuracionit poetik. Inventari figurativ te ky poet është ai simbolik, metaforik, metonimik, që përmes kontrasteve, oksimeronit dhe formave të ndryshme krijon gjetje te bukura poetike.

Situatat, gjendjet , ngjarjet, imazhet, përjetimet përmbrenda motiveve dhe temave të këtij autori janë sublimacione të shprehura me një subtilitet që mahnit çdo lexues.

Eugjenika e vargjeve të tij ka refleksione nga një urti antike, shenjtërie,empirike, diskursive, të gjitha këto të inkorporuar në një erudicion dhe intuicion prej një poeti të vetëdijshëm për misionin e tij.

 "Për me qenë poet , mjafton shpesh herë me i besuar artit, duke ia dhuruar jetën kultit të tij“, thotë Arshi Pipa. Këtë  kredo e ka edhe Arifi, të shoqëruar edhe me dhunti kreative.

Te ky poet poezia nuk improvizohet, por „arti i poezisë ndodh" siç thotë Vhistler.

Arif Bazaxhiu njëkohësiht shkruan në dy gjuhë, në gjuhën atnore-turqishte dhe në atë amnore- shqipe, andaj kontributi i tij ështe edhe përafrimi i këtyre dy kulturave të atdheut të tij Kosovar. Në këtë formë të të shkruarit dygjuhësisht është edhe libri më i ri “Kambanat e diellit“, por ky libër shoqërohet edhe me poezitë e përkthyera në gjuhët angleze , gjermane dhe frënge si dhe disa vështrime kritike të disa njohësve të poezisë së këtij autori, që njëheri janë poetë të shquara të letërsisë shqipe.

Libri i ri "Kambanat e diellit“, që është njëheri libër jubilar në shtatëdhjetë e pesë vjetorin e moshës dhe pesëdhjetë e pesë vjetorin e krijimtarisë së tij ( ky detaj evidentohet edhe i shkruar brenda librit), fillon me një rekuiem elegjiak kushtuar dhimbjes së zemrës për të birin e vdekur në lulen e rinisë. Duke lexuar poezinë "Pika shiu“ të vënë në kornizë, siç vihen në kornizë portretet e më të dashurve që i takojnë botës së matanshme, na rikujtohen edhe poetët e tjerë që patën të njëjtën tragjedi të fatit si ky poet , Ali Podrimja, Zija Çela, Visar Zhiti, Flutura Açka e të tjerë.

Edhe poezia "Pika shiu“ kushtuar Bylentit, është njëra ndër poezitë më të bukura të këtij autori siç janë "Lum Lumi“ dhe "Për dashurinë shkruhet pas vdekjes„ veprat më kulminante të Podrimjes e Çelajt. Kjo poezi e këto vepra janë dhimbje estetike.

Në këtë kontekst të dhimbjes së madhe në një rast Zija Çela thotë: "Dhimjba është këtu brenda, është bërthamë rrufeje, që kthehet në energji duke ndërruar trajta“.
 
Edhe te Arif Bozaxhiu kjo "energji rrufeje“, sublimohet në një lapidar elegjiak. Në këtë poezi gërshetohet, misteri, enigma, sekreti, mistika, kozmikja , religjioni përmes transcedentales metaforike.

Yjet ma zbuluan edhe një sekret 
se feja ime është vetëm buzëqeshje
e zotin e kam dëshmi tëfrymëmarrjes
ai më mësoi edhe një madhështi,
shpirti i zogut të gjakut tim është
dashuria.
                  (Pika shiu)

Kjo poezi është një metapoezi, që vëhet si paratekst poetik i përmbledhjes dhe simbolikisht mbyllet në kornizë si sugjerim lexuesit , se në këtë libër duhet hyrë me kujdes dhe me dinjitet siç duhet hyrë në një shtëpi që ka krahas gëzimit edhe pikëllim.

Meditacioni lirik i këtij libri lind nga motive, ide e tema të ndryshme që procedohet si strukturë simboliko-metaforike. Simbolet që defilojnë më së shpeshti në poezitë e këtij libri janë: korbi, dielli, deti, zogu, guri, toka, fara, ëndrra, çelësi, drita, stina, flutura, loti, gjethi, hija, ylli etj. 
Ndërsa metaforat : shpirti i zogut, zogu i gjakut, nata e lumit, çelësi i shpirtit, kallja e heshtjes, kufijtë e ajrit, , dënesje fluture, ëndrra e verdhë, zog vjeshte, derë e vdekjes, dëshirë shiu, ozon i djegur, gjelbërim i shëmtuar, prush deti, pranverë e ëndrrës, balet mjellme, pesha e vetmisë, galeri yjesh, ëndërr shiu, simfoni yjesh, lule fjalësh, agim yjesh etje.

Duke evidentuar arsenalin simbolik e metatoforik të këtyre poezive, mund të konstatojmë se strukturën poetike të poezisë së këtij libri e përbëjnë simbolet konstante të letërsisë shqipe ndërsa metaforika është tërësisht kontekstuale pra auteriale dhe unikate.

  Me anë të këtyre simoleve dhe metaforave përmes kontrastives, poeti krijon gjendje, ngjarje, fenomene e pamje estetike që lënë mbresa tejet të thella te recepienti.

Arif Bozaxhiu është ekzemplar i një krijuesi të dinjitetshëm, prej një atdhetari të njerëzishëm.

Këtë etikë të tij s'mund ta shmangim gjatë leximit të këtij libri, nga se poezinë e tij kushtuar fëmijëve të Jasharëve e zë kryevendi, pra si poezinë e parë. Aktit të martirizimit heroik të kësaj familjeje, poeti i bën një lapidar poetik. Me një mjeshtri prej demiurgu këtij akti i jep 
përmasa kozmike. Interpretimi më i bukur dhe më i saktë i kësaj poezie është vetë poezia:


ZARFI

kur në sytë e zogjve
korbat shuanin etjen,
një fëmijë nga Prekazi,
deshi t'ia dërgojë
një letër diellit..!
asnjë zarf nuk e zuri
letrën e përgjakur.

Çka t'i heqet a t'i shtohet kësaj poezie?! Asgjë s'mund t'i hiqet as t'i shtohet, mësa t'i heqet a t'i shtohet një pikë gjaku lirisë së Kosovës, atij gjaku të shenjtë i derdhur nga këta fëmijë e kjo familje. Sepse po ju heq ose ju shtua diçka, shëmtohet poezia dhe liria. Andaj këtë poezi duhet lexuar me një minutë nderimi si para varrit të Adem Jasharit.

Arti poetik i Arif Bozaxhiut është art i nivelit të lartë, poezitë e tij janë meditacione të mendjes me imagjinatë të bujshme. Ky poet bën metamorfozime mahnitëse nga konkretja në abstraketen, nga e logjikshmja në absurden, nga realja në surrealen, nga imazhi në mirazh.

     Një flutur dhe një zog
     m'i vëzhgojnë
     ëndrrat
     edhe dielli 
     në sytë e zogut 
               (Dielli pi ujë në sytë e zogut)

Në opusin poetik të Bozaxhiut vend dominant zë kontrasti metaforik, me anë të së cilit pozitë e këtij poeti janë kristomaci të letërsisë shqipe.

Tek ky libër gjejmë edhe elemente, që rrall hasen në poezinë aktuale shqipe, siç është kuptimi analogjik por me nuancë dashurie e adhurimi si te poezia "Zot“ ku poeti shprehet:

Dashurinë që e kam 
     për ty 
     o zot 
    është një gram 
    më e rëndë
    se gjithësia
                    (Zot)

Arif Bozaci- Bozaxhiu i zë lehtë shenjat që e frymëzojnë, por ato shenja gjithherë janë delikate si fluturat, andaj edhe poezia e tij ka një elegancë prej simfonie solemne.
Sidomos kjo elegancë vjen si një shprejhe në tematikën e erosit, sytë e Mona Lizës thotë poeti janë simfoni yjesh, ndërsa buzëqeshja në fytyrën e saj është muzikë që shurdhoi Bethovenin.

Poeti ka kohë që jeton dhe krijon në mërgim, këtij ambienti si çdo krijues nuk mund t'i shmanget me indiferencë. Duke bërë shpirtëzimin e gjërave na jep gjendjen subjektive plot ngjyra emocionale.
 
     Të kujt janë
     këto këpucë
    që tërë natën e lume
    qajtën në pragun e shtëpisë.
                                         (Këpucët e tij)
 
Kështu shprehet në një poezi kushtuar krushqve mërgimtarë.

Përgjithsisht poezitë e Arifit janë poezi që kanë ngjyrën e ambientit, të kohës, ndjeshmërinë e njerëzve, të reflektuar çiltërisisht te poeti. Poetika e Bozaxhiut është tejet konotative dhe transkodimi i saj mund të bëhet vetëm nga një lexues model si ai semiotik i Ekos. Poezia e Arif Bozaxhiut është botuar në shumë antologji shqipe, por edhe botërore, është përkthyer në gjuhët e kulturave të mëdha evropiane. Poeti është lauerat i çmimeve më të larta letrare të vendit por dhe ato internacionale. Duke pasur parasysh këto suksese, lirisht mund të themi se ky autor tashmë është emër i majave të poezisë shqipe, por edhe i ndërkombëtarizimit të saj në saje të vlerës universale të artit të tij.

Këtë vështrim tejet modest krahasuar me artin e poezisë së këtij poeti,do e kisha përfunduar me një thënie të poetit Agim Deva nxjerr nga poezia e tij, që është në këtë libër e që i kushtohet autorit të këtij libri: "E paska pasur fatin e fortë“- thotë ai për autorin. E që unë do thosha, vërtet Arif Bozaci-Bozaxhiut paska pasur fatin e fortë, nga se qenka lindur me këmishën e fatit prej poeti.

E gëzoftë këtë këtë këmishë poeti e letërsia!...

Nidda, koha e Pandemisë, korrik 2020

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen