Shkruan: Sadik KRASNIQI
Vetë qasja ndaj një libri, që shquhet për vlera të larta artistike, tek qasësi krijon një akt të veçantë. Ky akt i veçantë ka një nuancë të një shqetësimi estetik. Shqetësimi estetik lind nga preokupimi se a do arrihet kapja e të gjithë kompleksitetit semantik e semiotik të domenit letrar të librit në dorë. Shqetësimi estetik gjithsej si kënaqësi estetike është prezent si te recipienti, por para tij edhe tek vetë krijuesi. Shqetësimi estetik, si synim për të arritur bukurinë artistike përmes poezisë nga ana e krijuesit e vënerojmë edhe te autori i librit me poezi “Si kripën të kam dashtë“. Arif Molliqi këtë nuancë emocionale e shfaq njëherazi edhe si
akt krijues pra përmes vargjeve:
sërish u dashtë ta ha gjuhën
gjaku më shkoi gojës
duke përtypur fjalët
që të flasë bukur
(faqe 18)
Këtë shqetësim estetik, bukur e estetizon poeti përmes këtyre vargjeve të kësaj poezie e cila tërësisht është metaforike dhe me shumë kuptimësi. Opusi letrar i Arif Molliqit në të gjitha gjinitë e letërsisë shquhet me ritmin konstant të vlerave tashmë të konsoliduar. Ky autor është emër i suksesshëm i letërsisë shqipe që krijohet në mërgim, por gjithsesi edhe i letërsisë së përgjithshme shqipe.
Libri më i ri me poezi “Si kripën të kam dashtë“ shënon një vijimësi të poetikës së veçantë të këtij autori. Vetë titulli i këtij libri është një sintagmë metaforike e njëkohësisht edhe arketip metaforik. Sintagma „Si kripën të kam dashtë“ duke u përbërë nga simboli konvencional “kripa”, lidhëzën “si” dhe foljen “të kam dashtë” krijohet një metaforë esenciale e estetike. Kripa nuk është nuancë, por është thelbi, tharmi i shijes jetësore. Ky titull është një ambiguitet poetik e në të njëjtën kohë një prolepse që merr edhe karakter kryetipor. Titull i menduar mirë, e që vlen në një farë mënyre si shenjë drejt hyrjes në dekodimin e „ezoterikë“ poetike të këtij libri.
Librin „Si kripën të kam dashtë“, poeti e organizon në pesë nënndarje të paraprirë me një poezi si paratekst. Kaptinat ndarëse po ashtu emërohen me togfjalësha që kanë diskurs poetik dhe tingëllojnë bukur si “Përsëritje e papërsëritur“, “Si kripën të kam dashtë“, “Për dhimbjen ka prova“, “Fshati me një refugjat“ si dhe “Mjegull në kryeqytet“.
Librit i prinë poezia “Kronika e një fotografie“ që është një lirikë ndërtuar mbi soditjen e një fotoje si palimpsest që shfaq ndjeshmëri e ndjenjëshmëri përmes imazhit si kujtim.
tani kur ta shihni fotografinë
me borën e bardhë mbi kokë
që nuk shkrihet as në verë
që nuk i shkrihet as kur bën vapë
as kur nga pemët bien frutat e mërdhita.
(faqe 5)
Në këtë poezi pararendëse vërehen ngjyrat nostalgjike e melankolike për fëmijërinë, shoqërinë dhe vetë jetën.
Cikli i parë “Përsëritje e papërsëritur“ përbën nëntëmbëdhjetë poezi me motive përafërsiht të njëta. Cikli fillon me poezinë “Vrasja dhe vdekja e Lumëbardhit“ një ndër poezitë më të bukurat të këtij cikli, në të cilën ngërthehen një mori shprehjesh poetike, përmes së cilave poeti shfaq raportin e tij njerëzor ndaj një lumi që shterohet tmerrshëm nga faktori njeri. Në këtë poezi kemi një melankoli emocionale e njëkohësisht edhe revoltuese të shprehura për mes ironisë metaforike. Në poezinë “Vrasja dhe vdekja e Lumëbardhit“ gjejmë një imazh të këtij lumi të ilustruar mjeshtërisht përmes figurave poetike adekuate dhe befasuese duke nisur me animizmin e lumit siç tregojnë vargjet:
mbanë buzët në lumë ka etje
rrapin me hije e kishin lënë të pagojë
Ndërsa duke përfunduar në animalizëm të njeriut-shkatërruesit, këto dy figura i shoqëron me një ironi maksimale: “Kështu ndodh kur katërkëmbëshit flasin dhe veprojnë”, (faqe 9).
Poezia e radhës “Përsëritje e papërsëritur“ është një imazh abstraktit i realizuar përmes një poetike të metaforave kontekstuale si përfytyrim ngjyrimi. Metaforat, lavra e kuqe, drita të kuqe, bukë e kuqe, terr i kuq, borë e kuqe, krimb i gjakut, sikur asociojnë në një situatë, gjendje e imazh makaber. Një ndër poezitë me vlerë emblematike është poezia “Në hirin e tokës së djegur“. Poezia “Në hirin e tokës së djegur” është një lloj Kartargjene e poezisë “Toka e shkretë“ e Tomas Eliotit. Se bukuritë poetike koincidojnë tregon përafria figurative e imazhiste e kësaj poezie me poemthin e eliotas. Molliqi shprehet: “pastaj/ përmortshëm ulurin guri/ bimët nisën të dalin nëpër të qara/ këtu edhe fara ka dhembje/ ...dhe prapë në hirin e zi/ bimë e re mbërthen të dalë”, (Në hirin e tokës së djegur).
Madhështia e kësaj poezie të Molliqit, qëndron tek simbolet konvenciononale si arketipave apokaliptike si guri, hiri, bima e fara. Me të tilla simbole shprehet bukur ky autor siç shpreheshin bukur edhe Ali Podrimja, Azem Shkreli e Din Mehmeti. Edhe te ky poet, këto trope, estetizohen në shërbim të etniciteti si rezistencë dhe ekzistencë.
Në lirikat e këtij cikli, hasim shpesh edhe shqetësimin e poetit në raport me rrethanat dhe rrethin ku ai gjendet. Nga frymëzimet e gjendjes së shqetësuar dalin poezitë, “Asi fundit e as i pari“, “Një kostum evropian“, “Herë kalorës herë i mundur”, “Bardh e zi“,”Kur terrin kemi lënë rrugëve“ etj. Në këto poezi dominon konotativja e figurave që simbolizon gjendjen emocionale të ngrysur si ferri, akulli, terri, ilaçi, frika, akulli, alarmi, shterpësia etj., si dhe metaforat: perdja e zezë, kalorësi i mundur, portret i ngrirë, bukur e egër, hapësirë boshe, pikë vdekësie, farë e mykur, hija e zezë etj. Zymtësia në këto poezi është revoltuese e nuancuar me një fije ironie ashtu si mendimi i Niçes se: “Pesimisti është optimisti i revoltuar“.
Cikli i dytë i titulluar me metaforën që njëhërit bëhet shenjë grafiti i librit, e që vjen nga titulli i një poezie, “Si kripën të kam dashtë“, përfshin kryesisht poezi me tematikë dhe motiv erotik. Erosi si një kryetemë e letërsisë që nga antika, edhe te ky autor kompletohet me një ndjenjë dhe elegancë prej xhentëlmeni. Dashuria në këtë libër poetizohet si pamje, si komunikim po edhe si akt. Vajza, si bukuri fizike, në këtë cikël nuk është akt pozimi si në atelie para piktorit, por është në lëvizje dhe në aktin dashurie. Heroi lirik komunikon me të dashurën përmes letrave të humbura, të harruara, apo të ardhura me shumë vonese. Këto letra brenda përmbajnë mistere ose janë të shkruara me kaligrafi të padeshifrueshme, andaj në to gjithmonë ka një peng që të lë pa frymë.
brenda kishte një mister
një alfabet të papërsëritur
me një kaligrafi të zbehtë që jepte shpirt
(Një ngjarje e vrugët)
Poezitë “Letra e humbur“, “Një ngjarje e vrugët“, “Në ndërrimin e moteve“,“Vajzës që i pëlqente shiu“, “Si me dashtë me përbi dynjanë“, “Më thuaj a të marr për dore“, “Bukuri e egër“, “Si kripën të kam dashtë“, janë plot ndjenja, intime si dhe ritual afshi. Brenda kësaj kaptine janë përfshirë edhe disa poezi që nuk kanë temë dashurie si: “Era e arës së babës“, “Libri i amzës“, “Në kavernat e lirisë“, “Loja e mundimeve“. Këto poezi janë refleksione ndaj situatave dhe ngjarjeve të ndryshme që lidhen emocionalisht me autorin. Si të tilla mbeten mjaft mbresëlënëse te lexuesi, sidomos poezitë, “Era e arës së babës“, dhe “Në kavernat e lirisë“.
Cikli i tretë, “Për dhimbje ka prova“ përmban më së shumti poezi dhe është më personali. Këto duke qenë përkushtime lidhen shumë intimisht me poetin dhe si të tilla dalin përjetime emocionale. Duke i lexuar këto poezi na kujtohet Martin Camaj dhe thënia e tij e famshme: “Me mbetë në za“. Arif Molliqi u bën një vizitë poetike atyre që kanë mbete në za e që janë më të dashurit në afri familjare, vëllai, motra, edhe ish-presidenti Ibrahim Rugova e disa heronj të lirisë së Kosovës si Jusuf Gërvalla, Salih Çekaj etj. Edhe ky poet, përmes këtyre poezive si ai malësori i veriut “thirr para çdo gur varri: ooo (Filan Filani) me emër e mbiemër, se ndoshta, ky za “përshkon prej një jete në tjetrën“ siç thoshte Martin Camaj. Në poezinë: “Zbërtheja vdekjen në adresë të gabuar“ autori transcendon me anën e sentencës metaforike:
ta vura dorën në betonin e ftohtë
larg deri te dielli
flakë më digjej balli
(faqe 65)
Këto poezi përkushtimore janë nga më të veçantat nga se janë skulpturë shpirti i të përkushtuarit. “Kujtimi është e vetmja Parajsë nga e cila s´mund të na dëbojë askush“ thotë Joan Paul, andaj ky kujtim bëhet një pergamenë mbi të cilën poeti i shkruan poezitë e veta si palimpseste melankolike. Ky cikël vazhdon me poezitë me temë nga gjeografia e zvogëluar e atdheut nga klasa politike e Kosovës, ku poeti ironizon karakterin meskin të tyre.
Cikli më me pak poezi është, “Fshati me një refugjat“, me gjithsej tri poezi. Poezitë e këtij kapitulli siç definohet që në titull, janë poezi mërgimtari për mërgimin. Tema e mërgimit është temë e pashmangshme te poetët që jetojnë në mërgim. Motivi nga kjo temë trajtohet edhe tek Arif Molliqi përmes poezisë më të gjatë të këtij libri, “Fshati me një refugjat“. Përmbajtjesorja e poezisë “Fshati me një refugjat“ procedohet në katër nënndarje: “Kapërcimi i kufirit“, “Pres radhën të fotografohem“, “E varur diku“ dhe “Liqeni“.
Kjo lirikë është një rrëfim vetëmevete. E folmja vetëmevete dihet që është një e folme anagogjike si para vetë Zotit. Kjo poezi është një lirikë plot dramacitet të një gjendjeje emocional të ndjeshme plot dilema deri në frustracion. Kjo poezi përmban gjendje, ngjarje dhe imazhe të një të huaji. Duke qenë se pozita e të huajit është një „schicksal“ ose ironi arbitrare e jetës, heroi lirik e ndien veten Sizif, andaj shprehet:
hëna është gozhduar nga një re e dendur
është më e zymtë se buzëqeshja ime
është feneri i fundit që fiket
dhe më thërret të dal në breg
(faqe 93)
Patosi në këtë poezi kontemplohet me figura unikale e personale të metaforave si: qielli i tërbuar, duart e dridhura, feneri i fikur, hëna e gozhduar, qetësi e rrejshme, zjarr i verbër, sytë e ngjalës, frikë e fjetur, ditë shkretinë, etj. “Poezia duhet të ketë një unitet të përkryer“, thotë Blejku andaj edhe kjo poezi katër aktesh është e tillë. Këtij cikli i bashkëngjiten edhe dy poezi të bukura erotike, që nuk kanë lidhje tematike me poezinë paraprake të këtij libri. Variantin e bashkëngjitjes të disa poezive me tematikë të ndryshme në një cikël të përbashkët, në këtë libër, e hasim edhe në raste tjera.
Cikli i fundit i këtij libri: “Mjegulla në kryeqytet“, vë në pah prirjen autorit si një kritik i pakompromis ndaj fenomeneve dhe ngjarje që na rrethojnë në përditshmëri. Molliqi si çdo krijues rreket edhe me tema e motive që kanë të bëjnë me atdheun dhe njerëzit e atdheut në atdhe dhe në mërgim. Këto motive ky krijues nuk i këndon me figura dhe stil anakronik siç bëjnë pjesa dërmuese e poetëve mërgimtarë. Andaj në inventarin e figurave poetike të këtij autori nuk gjen folklorizëm të demoduar me figura konvencionale të bëra tashmë monotone e të bezditëshme si: çifteli, plis, lis e fis. Ky nuk përdor glorifikime të tilla, por ironizon fenomenet meskine që ndodhin në atdhe dhe te bashkatdhetarët e tij. Këtë poeti e bën me një sens estitues përmes poezisë intelektuale, që përkon me formatin posmodernist të letërsisë. Këtë estetikë poetike mund ta gjejmë më së miri në ciklin e fundit të këtij libri e sidomos te poezitë: “Mjegulla në kryeqytet“, “Kryeqyteti i krimbave“, “Kjo kafshë e zezë“, “Politikanët“, “Promenadë verore apo limonadë kulturore“, “Terri është mbret i mërzisë“ etj.
Libri “Si kripën të kam dashtë“, shënon një prurje në letërsinë e këtij autori dhe më gjerë, me tema, motive, figuracion, strukturë, gjuhë dhe stil të lartë estetik. Andaj këtë vështrim për poetikën e këtij libri, do e kisha përfunduar me thënien e një kritiku se poezia e bukur duhet të ketë përmbajtjen që të lë një përshtypje të paharruar sikur deti i bukur. Këto elemente i ka si esencë edhe estetika poetike e librit: “Si kripën të kam dashtë“.
Nida - Gjermani,
Janari i Pandemisë 2020.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen